721 Villages

OJQ Lady – CC4Women (Shtëpia Këshilluese për Gra) është themeluar më 18 Tetor 2005 si organizata e parë e këtij lloji në Kosovë, me mision të fuqizojë gratë, vajzat, personat me aftësi të kufizuara, nënat kryefamiljare dhe grupet e margjinalizuara, duke ofruar përkrahje konkrete dhe mundësi zhvillimi në fusha të ndryshme. Përmes projekteve të shumta socio-ekonomike, Lady ka kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të barabartë për të gjithë.

Dyqani i punimeve artizanale 721 Villages, është një iniciativë e veçantë që ka buruar nga Lady, e që i dedikohet promovimit dhe shitjes së punimeve artizanale të punuara nga gratë anembanë Kosovës. Dyqani ofron një platformë të qëndrueshme për gratë artizane, sidomos ato nga zonat rurale dhe komunitetet pakicë, duke i ndihmuar të fitojnë pavarësi ekonomike dhe të bëhen më të dukshme në tregun vendor e ndërkombëtar.

Emri 721 Villages përfaqëson numrin e fshatrave në Kosovë dhe simbolizon përkushtimin e organizatës për të përfshirë çdo grua, nga çdo cep i vendit, në këtë rrugëtim të fuqizimit dhe bashkëpunimit. Përmes dyqanit, Lady promovon trashëgiminë kulturore, vetëpunësimin dhe fuqizimin e grave si shtylla të zhvillimit të qëndrueshëm të shoqërisë.