Fuqizimi i grave – Forcimi i komuniteteve!
Më 26.02.2025, OJQ Lady – CC 4 Women, me mbështetjen e UNMIK – Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe Kryeqytetit Prishtina, hapi dyqanin e punimeve artizanale “721 Villages” – një iniciativë frymëzuese, e dedikuar për fuqizimin e grave artizane në mbarë Kosovën!
Për gati dy dekada, Lady ka qenë një forcë shtytëse në mbështetjen e grave – veçanërisht atyre nga zonat rurale, komunitetet jo-shumicë dhe grave kryefamiljare – duke i ndihmuar ato të fitojnë pavarësi financiare dhe dukshmëri në treg.


Me hapjen e një dyqani fizik dhe një furgoni modern shitës në terren, puna jonë po arrin nivele të reja, duke sjellë mundësi dhe fuqizim për edhe më shumë gra. Ky është një moment kyç në rrugëtimin e tyre drejt progresit dhe ndryshimit!
Emri “721 Villages” përfaqëson pikërisht numrin e fshatrave në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e projektit për të mbështetur gratë nga çdo cep i vendit dhe për të ruajtur artizanatin tradicional. Furgoni shitës nuk do të shërbejë vetëm si treg i lëvizshëm, por edhe si hapësirë takimesh dhe bashkëpunimi mes komuniteteve.
Na vizitoni në dyqan në rrugën Xhemail Prishtina nr. 39, ose takoni furgonin tonë në lëvizje anembanë Kosovës!
Faleminderim i përzemërt për të gjithë ata që kontribuan në këtë projekt kaq të veçantë dhe unik.
Gjithashtu, falënderime të veçanta për të gjitha mediat që ishin të pranishme!






